ForumPortaliCalendarGalleryPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Lajme nga Bota

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
dreqja
Mamune vogel
Mamune vogel


Female Numri i postimeve : 3717
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Lajme nga Bota   1st October 2008, 5:29 am

Ktu mund te postoni lajme te # nga bota
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://kasata.forum777.com
dreqja
Mamune vogel
Mamune vogel


Female Numri i postimeve : 3717
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Vrasja e shqiptarit, pranga 4 italianëve   2nd October 2008, 5:55 pm

Arrestohen në Itali katër shtetas, të cilët akuzohen për vrasjen e një emigranti shqiptar.
Policia e vendit fqinj prangosi italianët, të cilët akuzohen për vrasjen e shqiptarit, Zef Nikolli, më 16 maj.

Ka qenë pikërisht mbrëmja e asaj ditë kur si pasojë e përplasjes mes bandave, vdiq Nikolli, ndërsa u plagos shqiptari tjetër Marjan Fishta.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://kasata.forum777.com
UNKNOWN
H2O
H2O


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Re: Lajme nga Bota   6th October 2008, 2:28 pm

06/10/2008

Kriza financiare, këmbëkryq në Evropë

Gjermania, Belgjika, Holanda, Islanda, janë tashmë disa qeveritë evropiane që po luftojnë për shpëtimin e bankave të rëndësishme nga falimentimi


Janë tashmë disa qeveri evropiane, që po luftojnë për shpëtimin e bankave të rëndësishme nga falimentimi. Këtë po e bëjnë kryesisht për bankat përkatëse, vetëm dy ditë pas takimit të katër liderëve të ekonomive më të mëdha të kontinentit, të cilët ranë dakord për masa më të rrepta kontrolli dhe reagim të koordinuar përballë krizës botëror.

Në Berlin, qeveria gjermane nisi bisedime urgjente lidhur me trajtimin e krizës pas kolapsit të "Hypo Real Estate AG", banka e dytë në rang vendor në tregun e huadhënies së pasurive të paluajtshme. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, garantoi se ekonomia më e madhe në Evropë "nuk do lejonte që rënia e një instituti financiar të shkaktonte rënien e gjithë sistemit", duke nënvizuar se asnjë individ nuk duhej të trembej për të ardhmen e kursimeve vetjake. Më pas, ministri i Financave i këtij vendi përsëriti se qeveria do të garantonte të gjitha kursimet e qytetarëve gjermanë.

Kryeministri belg, Iv Leterm, deklaroi dje se ishte në kërkim të një pronari të ri për bankën "Fortis NV", i cili të mund të garantonte besimin brenda kësaj kompanie, përpara hapjes së tregjeve të hënën në mëngjes. Ndërkaq, operacionet e Bankës Holandeze u shtetëzuan prej frikës së falimentimit. Shefi i Thesarit britanik, Alister Darling, deklaroi se qe gati të ndërmerrte "hapa mjaft të mëdhenj, të cilët zor të ndërmerren në kohë normale" për ta mbrojtur vendin nga ndonjë rrezik i mundshëm. Në një intervistë të dhënë për BBC, Darling sqaroi se qeveria, e cila ka vënë miliarda dollarë për të mbështetur sektorin bankar, ka arritur në përfundimin se "duhen marrë masa në vija të përgjithshme, ashtu si edhe duhet ndërhyrë me veprime të posaçme, në rast se edhe ndonjë bankë e caktuar shfaq probleme". Kohë më parë, qeveria britanike ka marrë masa për shtetëzimin e huadhënësve "Northern Rock" dhe "Bradford & Bingley".

Të shtunën, liderët e Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe Italisë u takuan për të diskutuar kolapsin financiar, që pak nga pak po transmetohet përmes Atlantikut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Evropë, por nuk panë me vend të ndërmerrej një plan shpëtimi si ai prej 700 miliardë dollarësh, të ndërmarrë tashmë në Amerikë. Dhe, ndërsa katër ekonomitë më të mëdha evropiane qenë të një mendjeje se duheshin koordinuar reagimet e secilës për të ndihmuar bankat në vështirësi, dështimi në arritjen e një plani të koordinuar të të gjithë Bashkimit Evropian nënvizoi mosmarrëveshjet brenda shteteve të kontinentit të vjetër për mënyrën si duhet përballur kjo krizë.

Franca sugjeroi një plan gjithëpërfshirës shpëtimi shumëmiliardë dollarësh, por u tërhoq, pasi Gjermania doli me qëndrimin se bankat duhet të dilnin vetë nga kriza. Qëndrimi gjerman u bë i qartë në një çast kur kërkohej me të gjitha mundësitë shpëtimi i gjigandes gjermane të kredive "Hypo Real Estate". Nga kjo bankë u bë me dije të shtunën se plani i shpëtimit kishte dështuar në çastin e tërheqjes së huadhënësve privatë, një element kyç në propozimet e bëra nga Bashkimi Evropian në fillim të javës së shkuar. Nuk dihet ende nëse qeveria gjermane, e cila planifikonte injektimin e rreth 37.35 miliardë dollarëve për shpëtimin e bankës do ta rrisë edhe më tej këtë shifër tani që paketa e parë dështoi.

Në Islandë - një prej vendeve më të ekspozuara ndaj krizës amerikane - qeveritarët dhe krerët e institucioneve bankare po diskutojnë për krijimin e një plani shpëtimi. Bankat islandeze u shtrinë me shpejtësi marramendëse pas liberalizimit të tregut të brendshëm financiar gjatë viteve nëntëdhjetë dhe tani kanë një tepricë asetesh të grumbulluara nga bashkëpunimi me institucionet e huaja me vlerë rreth 138.34 miliardë dollarë. Javës së shkuar qeveria mori përsipër të mbështesë bankën "Glitnir", e treta për nga rangu në Islandë, vendim që i shtyu agjencitë e mëdha të vlerësimit të ulnin ndjeshëm vlerësimet për katër bankat më të mëdha të vendit, ashtu si edhe ato të qeverisë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
UNKNOWN
H2O
H2O


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Re: Lajme nga Bota   6th October 2008, 2:29 pm

Kina, konkurrente edhe në hapësirë

Hapi i "Dragoit të Azisë" drejt orbitës tashmë është i pashmangshëm


Hapi i madh i Kinës drejt hapësirës është i pashmangshëm. Ashtu si Lojërat Olimpike, lëshimi këtë javë i tre astronautëve, një prej të cilëve do të kryejë "ecjen e parë" të Kinës në hapësirë, shpall ngjitjen e saj si një prej fuqive të mëdha të këtij shekulli të ri. Pyetja që tashmë ka nisur të bëhet në Uashington është nëse Kina e sheh veten si bashkëpunëtor në hapësirë, apo si një kundërshtar potencial? Kjo dilemë u bë e qartë më 11 janar 2007, ditën kur Kina lëshoi një raketë, e cila shkatërroi një prej satelitëve të vet të motit në orbitë. Eksperimenti dërgoi një sinjal të fortë te SHBA-ja, se shumë prej satelitëve te të cilët mbështetet Amerika, janë tashmë të goditshëm, të paktën në teori, nga sulme kineze. Askush nuk e di nëse Kina po përpiqet të ndërtojë një kapacitet të tillë. Por, shumë ekspertë kanë arritur në përfundimin se është koha që SHBA-ja të mendojë seriozisht për të vendosur një lloj regjimi të tipit "kontroll armatimi", për të shmangur një rivalitet destabilizues në hapësirën e afërme. Një studim i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, botuar javën që kaloi, është më i fundit që mbështet këtë propozim. Për një gjeneratë, SHBA-ja ka kundërshtuar çdo lloj limiti mbi atë që shtetet mund të bëjnë në orbitën e Tokës. Ndonëse si SHBA-ja, ashtu edhe Bashkimi Sovjetik eksperimentuan me armë antisatelitore gjatë Luftës së Ftohtë dhe secili kuptoi se kishte shumë për të humbur. Satelitët ishin shumë të rëndësishëm për tensionin bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë. Ata informonin njëri-tjetrin se çfarë satelitësh vendosnin, gjë që u lejonte të pikasnin çdo lloj ndryshimi dhe i lajmëronin ata pothuajse menjëherë për çdo lëshim rakete. Çdo lëvizje për të shkatërruar satelitët e tjetrit mund të kishte qenë prelud i një sulmi bërthamor. Megjithatë, rrethanat kanë ndryshuar. Gjatë 20 viteve të fundit, forcat konvencionale të Amerikës, si dhe ato bërthamore, mbështeten mbi satelitët. Në Afganistan, satelitët e zbulimit përcillnin atë që shihnin në kompjuterët e forcave speciale. Satelitët e komunikimit u mundësonin trupave të lidheshin me bombarduesit mbi krerët e tyre. Konstelacioni i satelitëve të sistemeve GPS orientonin më pas bombat e precizionit të lartë drejt talebanëve. Tani në Irak, avionë të telekomanduar, të pilotuar nga Nevada apo Kalifornia, përmes satelitëve të komunikimit, u japin ushtarëve një sy të padridhshëm, për të parë se ku bombarduesit duhet të lëshojnë bombat.

Konflikti me Kinën nuk ka gjasa të ndodhë, me një përjashtim: nëse Kina përpiqet një ditë të rimarrë me forcë Tajvanin. Shumë njerëz në komunitetin e mbrojtjes së SHBA-së besojnë se qëllimi i Kinës është të shënjestrojë këta satelitë, për të neutralizuar mbrojtjen e SHBA-së për Tajvanin. Nëse Kina do të bënte një gjë të tillë, SHBA-ja mund të tundohet të sulmojë impiantet e lëshimit të raketave ASAT në territorin kinez, duke acaruar konfliktin. Si do të përgjigjej Kina? Kur satelitët janë mjete ushtarake me rëndësi strategjike, a duhet që sulmi ndaj tyre të frenohet me kërcënimin për kundërpërgjigje bërthamore?

Duket se administrata "Bush" është e prirë drejt këtij këndvështrimi. Në një deklaratë të "politikës hapësinore" të bërë më 2006-ën, administrata shpalli se SHBA-ja i konsideron aftësitë e saj hapësinore si "jetësore për interesat kombëtarë". Kjo frazë ka shumë ngarkesë, vëren Bruce MacDonald, autor i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, si dhe një veteran i hapësirë

dhe çështjeve të kontrollit të armëve. "Teorikisht kjo do të thotë se nuk përjashtohet as edhe kundërpërgjigja bërthamore nëse sulmohen këto interesa". Një rivalitet hapësinor është i mbushur me rreziqe potenciale. Lufta e Ftohtë mbeti e ftohtë pjesërisht, sepse u zhvilluan koncepte të qarta të frenimit, thotë Thomas Behling, deri vitin që kaloi nënsekretar për inteligjencën në Pentagon. "Por ne nuk e dimë si ta zbatojmë atë në hapësirë. Dhe ne nuk i kushtojmë vëmendje të mjaftueshme kësaj çështjeje". Teknologjia antisatelitore e Kinës ngre një kolateral, por edhe një problem më urgjent: hedhurinat në hapësirë. Raketa testuese e Kinës shkatërroi shënjestrën duke e goditur, duke prodhuar mijëra fragmente që ende vijnë vërdallë në orbitë dhe do të vazhdojnë me vite, sepse copëzat janë kaq larg, saqë do të duhen dekada që graviteti t‘i tërheqë në Tokë. Orbita e poshtme e Tokës është e mbushur me satelitë komercialë, që përfaqësojnë një industri me të ardhura prej më shumë se 100 miliardë dollarë, ku secili ecën me 18 000 milje në orë. Ndoshta 900 apo më shumë fragmente të satelitit të motit janë mjaft të mëdha për të dëmtuar çdo satelit të tillë që do të ndeshnin. A e dinte Kina këtë? Nuk donte t‘ia dinte? Ndoshta ka ardhur koha të negociohen rregulla ndërkombëtare për të parandaluar përsëritjen e një testi të tillë. "Është thelbësore që qeveritë e botës të ofrojnë udhëheqje për çështjet e menaxhimit hapësinor sot, me qëllim që të mbrojnë veprimtarinë hapësinore të së nesërmes", thotë David McGlade, drejtues i gjigantit "Intelsat". Negocimi i këtyre rregullave do të ishte shumë i vështirë. Një draft i një marrëveshje për "parandalimin e armatimit të hapësirës", propozuar disa vjet më parë nga Rusia dhe Kina, nuk ka shkuar askund se, siç e pranojnë edhe sponsorët e saj, askush nuk e di si të përcaktojë terma bazë si "armë hapësinore" apo "hapësirë e jashtme". Për arsye të ngjashme, një ndalim direkt i armëve ASAT dhe veprimtarisë ASAT, është synim i pamundur: Askush nuk është në gjendje të thotë se si do të verifikohet.

Por disa rregulla mund të negociohen, duke përfshirë edhe lëshimin e raketave testuese si ajo e Kinës vitin që kaloi. "Për Amerikën, pyetja është se cili regjim hapësinor u shërben më mirë interesave afatgjata të sigurisë për Amerikën", thuhet në raportin e Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë. SHBA-ja, që ka njëkohësisht industrinë komerciale hapësinore dominuese, por edhe atë ushtarake, ka shumë arsye të veprojë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
UNKNOWN
H2O
H2O


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Re: Lajme nga Bota   7th October 2008, 2:47 pm

07/10/2008

Konsideroheshin si "Zotat e Universit" që i jepnin llogari veç vetes, sot fajësohen për dështimin e madh financiar

Perëndimi i "perandorëve" të Wall Street

Amerikanët nuk mjaftohen me kaq, por kërkojnë përgjegjësit


Wall Street duket ai i përhershmi: po ata zhonglerë fondesh të veshur me kostume super të shtrenjta; po ata shitblerës me xhaketa blu që pijnë duhan apo pëshpëritin vesh më vesh jashtë sallës së këmbimit të aksioneve; po i njëjti ambient individësh të krimbur në para, teksa vënë baste e presin me nervozizëm rezultatet. E megjithatë Wall Street ka ndërruar njëherë e përgjithmonë dhe kushdo e njeh nga afër, e di shumë mirë këtë.

Pas trazirave financiare të javëve të fundit, votimi kundër paketës së shpëtimit në Uashington, rënia me kokë poshtë e indeksit Dow Jones të hënën, terreni i rrugës së famshme duket shumë i ndryshëm. Para dy ditësh, një buldozer po gërmonte një gropë të madhe para ndërtesës së këmbimeve të aksioneve të Nju Jorkut: edhe toka mbi të cilën gjendet tashmë nuk është si më parë.

Ndryshimi është pjesërisht strukturor, pjesërisht politik dhe pjesërisht kulturor. Pesë bankat e mëdha të investimeve që dominonin Wall Street-in, ashtu si edhe gjithë tregun financiar në nivel global, nuk janë më: dy kanë falimentuar, një tjetër po i shitet Bankës Amerikane, ndërsa dy të tjerat janë kthyer në banka komerciale. Epoka e bankierit investues të pavarur, kolosit financiar që ishte shfaqur vitet e fundit, i cili i jepte llogari veç vetvetes, ka mbaruar një herë e mirë. "Bota ka ndryshuar", deklaroi një zëdhënës i "Morgan Stanley" javës që shkoi. Diçka të përafërt deklaroi edhe Uilliam Isak, ish-numri një i Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave, detyra e së cilës është garantimi i depozitave bankare: "Ai Wall Street që njohim ne, ka marrë fund".

Qendra e gravitetit financiar sa hap e mbyll sytë është zhvendosur në Uashington. Janë ligjvënësit ata që mbajnë tashmë në duar fatin e së ardhmes së financave amerikane. Ata, "Zotër të Universit", për të cilët shkroi Tom Ulf në librin "Zjarri i mendjemadhësisë", tani nuk zotërojnë më as Wall Street-in. Janë vendosur rregullatorë për t‘u vënë fre djemve të pabindur të financës, madje jo vetëm kaq: publiku amerikan është i bindur se dikush duhet të paguajë për këtë katastrofë.

Por ndryshimi më rrënjësor mund të jetë ai kulturori, njëherësh edhe më i pakapshmi për syrin. "Wall Street: i marrë fund" shkruante fundjavën e shkuar e përditshmja amerikane, "The New York Times". "Bota e egove të mëdha. Bota ku njerëzve u pëlqente të hidhnin zaret me para të marra hua, e mbajtur gjallë nga kompjuterët... Asaj bote po i mbërrin fundi".

Ndryshimin mund ta vëresh te fytyrat e ngurta të punonjësve që mbushin sallën gjigande të këmbimit të aksioneve çdo mëngjes: duket sikur janë vënë në radhë për t‘iu nënshtruar një testi të pamëshirshëm e ngjethës. Shumica e tyre nuk pranojnë të intervistohen.

Ndryshimet shfaqen më së shumti te detajet në dukje të parëndësishme: te një lokal jo shumë i madh, një grua ankohej se kroasani i përditshëm kushtonte 20 cent më shtrenjtë se një ditë më parë. "U ngrit çmimi sot? Për një ditë?", thotë me habi. "Mund të kuptoj çfarë ndodhi me kompanitë ‘Bear Stearns‘, ‘AIG‘, por edhe kroasani im"? Kush e dëgjon, duket se e miraton.

Jashtë dyqanit lyp Rozario Katania: "Sot më shkoi më mirë nga ç‘prisja, thotë. Dje shifrat u ulën me 700, por u ngritën përsëri sot në mëngjes". Në Wall Street edhe lypësit janë spekulatorë.

Endrju Shilman del nga ndërtesa e bursës me një qen shumë të vogël, të quajtur Kingston. "Dola nga loja para dy vjetësh, thotë. Ajo që po ndodh është e kundërta e bollëkut të dikurshëm irracional. Është tatëpjeta e kapitalizmit, oportunizmit dhe babëzisë. Është mënyra amerikane e të vepruarit. Gordon Geko e tha më qartë se kushdo tjetër: ‘Babëzia është diçka e mirë", vëren, duke iu referuar karakterit të luajtur nga Majkëll Daglas në një film me qendër Wall Street-in, ku ekseset e kësaj rruge shfaqen tërësisht, nga format më të ulëta tek ato më joshëset.

Gjatë dy dekadave të fundit, personazhet e mishëruara më së miri nga Gordon Geko janë lakmuar e janë kritikuar, por më së shumti janë admiruar në fshehtësi nga pjesa më e madhe e amerikanëve. Sot përgojohen e përçmohen me gjithë shpirt, me doza që nuk vëreheshin prej 80 vjetësh. Ajo mëri u pa më së miri në kongresin amerikan, me refuzimin e paketës së ndihmës për daljen nga kriza. Edhe pse diçka e tillë u bën dëm edhe atyre vetë, amerikanët duan t‘i shohin të kryqëzuar ata individë që u pasuruan dhe e sëmurën Amerikën përmes kredive toksike.

"Ky është biznesi më fitimprurës në planet, por mund të bëhet në dy mënyra: në atë të duhurën dhe në atë të gabuarën", thotë Xhom Foster, agjent burse në kompaninë "Gotham Realty Holdings". "Tregu do rimëkëmbet brenda tre-katër vjetësh...". Një opinion i tillë shprehet gjerësisht nga punonjësit e Wall Street-it këto dy-tre ditët e fundit, por pa atë optimizëm dhe bindje që është aq karakteristike për këtë rrugë dhe aq jetike për suksesin e saj.

Dhe në thelb kjo është edhe ajo çka ka ndryshuar. Ekonomisti dhe shkrimtari Xhon Kenet Galbrait i identifikonte kështu përbërësit kryesorë të entuziazmit financiar: "Spekulimi ka nevojë për doza të mëdha vetëbesimi bindës, optimizmi dhe bindjeje se njerëz të zakonshëm mund të pasurohen... Kjo lloj ndjesie ndaj besimit është thelbësore kur ke ndër mend të bësh bum. Kur njerëzit janë të kujdesshëm, mosbesues, mizantropë, skeptikë apo të vegjël në shpirt, janë imunë ndaj entuziazmit spekulativ".

Por për entuziazëm as mund të flitet këto dy-tre ditë në Wall Street. Është zëvendësuar nga pasiguria dhe nga parandjenja se 2008-a mund të kthehet në vitin 1929. Pjesa më e madhe e ekonomistëve nuk besojnë se jemi përpara një krize të ngjashme me atë të Depresionit të Madh të viteve tridhjetë. Bastexhinjtë e papërmbajtshëm amerikanë do gjejnë një rrugë tjetër për të fituar para me thasë e për të blerë një jaht edhe më të madh. Toka do ndalë së vibruar nën Wall Street dhe buldozeri do largohet. Por teksa turistët, agjentët e bursës e të tjerët ngrenë kokën drejt kateve të larta të ndërtesës së bursës, në mendje kanë të njëjtën gjë: vetëvrasjen e atyre që nuk kanë rrugë tjetër shpëtimi.

Por duhet të dinë se në vitin 1929, me shpërthimin e krizës së famshme, vetëm dy spekulatorë vendosën t‘i jepnin fund jetës, duke u hedhur nga katet e larta të ndërtesës. Fjalët për vetëvrasje masive u morën për të vërteta, për shkak të thashethemeve, frikës e pasigurisë. Dhe kjo është edhe mënyra e parapëlqyer e operimit të Wall Street-it.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
Sponsored content




MesazhTitulli: Re: Lajme nga Bota   Today at 4:43 pm

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Lajme nga Bota
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Lajme-
Kërce tek: