ForumPortaliCalendarGalleryPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 ASTEROIDET, TE KEMI FRIKE NDAJ TYRE?

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
MISTERIOZJA
Luleshtrydhja Forumit
Luleshtrydhja Forumit


Female Numri i postimeve : 4095
Age : 27
Location : secret
Humor : not bad
Registration date : 02/10/2008

MesazhTitulli: ASTEROIDET, TE KEMI FRIKE NDAJ TYRE?   16th January 2009, 6:37 pm

Ndodhin shumë rrallë, por asgjë nuk është e sigurt


Njëqind vjet më parë, një burrë ishte ulur në një stol të drunjtë në fshatin Vanavara në thellësi të Siberisë, kur befas pa një lëmsh të zjarrtë, i shoqëruar nga një uturimë e madhe, të binte nga qielli. Disa vjet më vonë, ai
ndjente ende tmerr teksa rrëfente historinë më të çuditshme të jetës së tij para një shkencëtari në Shën Peterburg, i cili ishte anëtar i një ekspedite kërkimore në lidhje me fenomenin e jashtëzakonshëm
në këtë zonë të largët të planetit. Historia e siberianit ishte e para e një dëshmitari që asistoi në njërin prej shpërthimeve më të jashtëzakonshëm të një objekti që erdhi nga qielli, çau atmosferën dhe u përplas në sipërfaqen e Tokës. “Befas, në veri të kupës qiellore, hapësira u nda në dy pjesë dhe lart mbi pyje e gjithë pjesa veriore u mbulua nga flakët”, e nisi burri rrëfimin e tij para shkencëtarit. “Pati një shpërthim në qiell dhe më pas
erdhi përplasja. U duk sikur po binin shkëmbinj nga lartësitë. Toka u trondit”. Nxehtësia e emetuar nga shpërthimi ishte aq përvëluese, saqë këmisha e burrit u përflak menjëherë. Drita e madhe që doli u vu re në një
largësi shumë të madhe. Madje edhe banorët e Londrës atë natë e panë që qielli kishte një ndriçim të veçantë dhe një vrojtim i tillë u pasqyrua edhe në shtypin e kohës. Goditja e zjarrtë dogji rreth 80 milionë pemë. Trupi qiellor, që shkaktoi një ndër krateret më të mëdha të Tokës ishte një asteroid, nga ata më të fuqishmit që janë përplasur në sipërfaqen e planetit, në epokën moderne. Por nëse ky trup, me këtë potencial shpërthyes e shkatërrues, do të kishte pasur një trajektore tjetër dhe do të kishte rënë në një vend të banuar, për shembull në Nju Jork, Londër, Moskë, apo Paris, cilat do të kishin qenë pasojat? Shkencëtarët llogaritën që, nëse
një asteroid i përmasave të tilla si ai që ra në Siberi 100 vjet më parë, do të kishte rënë në Londër, sot shkatërrimi do të kishte qenë kolosal. Ekuivalenti i shpërthimit do të ishte ai i një bombe bërthamore prej 20 milionë tonësh eksploziv, që do ta shkatërronte qytetin nga themelet. Ajo çka ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit të datës 30 korrik të vitit 1908, në afërsi të Podkamenajas në Siberi, sot është shndërruar në një
legjendë të vërtetë mes shkencëtarëve që merren me vrojtimin dhe studimin e objekteve që i sillen rrotull Tokës dhe që në një moment të caktuar edhe e godasin atë. Asteroidi siberian është një sinjal që u kujton të gjithëve
se në çfarë rreziku potencial ndodhemi të gjithë dhe se shpesh fati ynë varet në trajektoret e trupave qiellorë, që nëse “zgjedhin” të zhyten në Tokë, mund të marrin miliona jetë njerëzish dhe të shkatërrojnë objekte të
vyera të civilizimit tonë.

“Nëse do të nisësh një bisedë me ata që merren me objektet qiellorë, e veçanërisht me studimin e asteroideve, mjafton të thuash “asteroidi siberian” për të nënkuptuar gjithçka. Është i vetmi meteorit i përmasave të tilla që ka goditur Tokën në epokën moderne dhe që është shndërruar në një objekt studimi që prej 100 vitesh”, thotë një nga shkencëtarët amerikanë pranë një qendre të posaçme në NASA. Edhe pse goditja ka ndodhur në 1908-n, eksperimenti i parë mbi trupin dhe vendin e goditjes është kryer jo më parë se viti 1921, nga një ekip ekspertësh i kryesuar nga Leonid Kulik, shefi i departamentit të meteoritëve në Muzeun e Shën Peterburgut. Ndërmarrja e parë ishte një dështim, pasi kushtet e vështira atmosferike dhe një sërë vështirësish të mëdha të terrenit nuk mundësonin lehtësira në vëzhgim. Në vitin 1927, Kulik bëri edhe një përpjekje tjetër dhe ia doli që të mbërrinte deri në zëmër të zonës së shkatërruar. Ai u përpoq që të kontaktonte edhe me dëshmitarë okularë të ngjarjes. Pjesa më e madhe e tyre nuk kishin dëshirë t‘i riktheheshin kujtimit të tmerrshëm të 19 viteve më parë, por shkencëtari rus ia doli mbanë dhe mori prej tyre përshkrime të jashtëzakonshme të pamjes së jashtme të trupit qiellor. Frika e vendasve ishte më shumë fetare.

Ata besonin se trupi qiellor ishte një mesazh nga Zoti me emrin Ogdy, që e kishte mallkuar të gjithë zonën, duke vrarë njerëz, kafshë e shkatërruar çdo gjë të gjallë. Me të gjitha kërkimet shumë këmbëngulëse, Kulik
nuk arriti që të gjente zemrën e goditjes, apo edhe ndonjë copës të vetë meteoritit. Kjo pasi objekti në vend që të ishte përplasur në Tokë, ishte shpërbërë në ajër. Mungesa e një krateri të mirëfilltë dhe ajo e copëzave të meteoritit, çoi në spekulime të ndryshme në lidhje me shkakun e shpërthimit. Madje, spekulimet varionin nga sulmet e mundshme të jashtëtokësorëve deri te përplasja e ndonjë vrime të zezë të vogël. Një tjetër sugjerim
ishte se mund të mos bëhej fjalë për një objekt hapësinor, por për një shpërthim të shkaktuar nga lëshimi i papritur i një sasie shumë të madhe gazi metan nga thellësia e Tokës. Një shekull më pas ka ende shkencëtarë që debatojnë dhe vijnë herë pas here me skenarë të rinj në lidhje me shkaqet e shpërthimit siberian. Por kryesisht, pjesa më e madhe, kanë rënë dakord me teorinë se mëngjesin e 30 qershorit të vitit 1908, një shkëmb i madh hapësinor ka hyrë në atmosferën e Siberisë dhe ka shpërthyer në qiell. Një shkëmb i tillë mund të ketë udhëtuar me një shpejtësi prej 35500 kilometrash në orë. Molekulat e ajrit mund të jenë nxehur shumë dhe kanë bërë që në qendër të shpërthimit temperatura t‘i ketë kaluar të 25 000 gradët Celsius. Presioni i madh i nxehtësisë mund të ketë shkaktuar shpërthimin e masës shkëmbore dhe ta ketë shndërruar gjithçka në një lëmsh të zjarrtë, me një ekuivalent shpërthimi sa 185 bomba Hiroshime njëherazi. Ky është shkaku që në Tokë, përveç mbetjeve nga djegia e madhe, nuk ka një krater të mirëfilltë, pra asteroidi është konsumuar gjatë shpërthimit. Jo të gjithë shkencëtarët janë dakord me një shpjegim të tillë. Një pjesë e tyre kanë arritur që të shquajnë një krater potencial, një copë të madhe toke të mbuluar nga uji, në formën e një liqeni. Këta shkencëtarë duan që të gërmojnë në thellësitë e tij për të gjetur provën e hipotezës së tyre. Por pyetja
e vërtetë që ngrihet për rastin e asteroidit siberian të Tungguskës është ajo çka mund të ndodhë në të ardhmen? Po sikur një fenomen i përmasave të tilla të përsëritet në zona të tjera të Tokës, në zona të banuara këtë herë? Ekspertët e asteroideve kanë llogaritur që një trup i tillë mund të godasë Tokën një herë në 300 vjet. Kjo nuk do të thotë që na kanë mbetur edhe 200 vjet nga goditja e radhës, por nuk i dihet. Një gjë e tillë nuk mund të përcaktohet. Ajo mund të ndodhë pas 1000 vitesh, ose pas 24 orësh. Mbi këtë fakt, mund të bëhen
vetëm spekulime. Nëse një goditje e tillë do të ishte bërë në det, apo oqean, valët e shkaktuara do të ishin shumë shkatërruese dhe do të kishin shkaktuar cunamin më të madh të kohëve moderne. Megjithatë këto lloj objektesh e godasin Tokën, sipas llogarive të bëra, në një frekuencë një në 1000 vjet dhe përmasat e tyre janë nga më të mëdhatë. Një objekt i tillë mendohet ta ketë goditur planetin tonë 65 milionë vjet më parë. Prej tij pati aq shumë mbetje sa që u shkaktua një dimër i vërtetë bërthamor që ndaloi depërtimin e rrezeve të Diellit për shumë stinë. Kjo goditje mendohet të ketë shkaktuar edhe zhdukjen e dinozaurëve. Lobe të ndryshëm
shkencëtarësh ngulmojnë për fokusimin e studimeve te fenomene të tilla, dhe mbi të gjitha te mënyrat e parandalimit ose shmangies së mundshme të këtyre goditjeve. Për sa i takon NASA-s, Agjencia Hapësinore Amerikane, shkencëtarët e saj shpresojnë të identifikojnë 90 për qind të të gjitha objekteve të rrezikshëm që
mund të sillen rreth Tokës, me kusht që të kenë një diametër mbi 500 metra. Sipas disa shkencëtarëve,
nëse një objekt i tillë do të vihet re në rrugëtimin e tij drejt Tokës, është e mundur dërgimi i një anijeje me mbushje bërthamore për ta hedhur objektin në erë, para se të shkaktojë dëme në Tokë. Një nga mësimet e nxjerra nga asteroidi i Siberisë është se, edhe pse jemi të pambrojtur nga kërcënimet e befta të qiellit, nuk
duhet të zhytemi në dëshpërim, pasi goditje të tilla, edhe pse shkatërruese, janë të rralla.

_________________

Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
ASTEROIDET, TE KEMI FRIKE NDAJ TYRE?
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Kurjozitete-
Kërce tek: