ForumPortaliCalendarGalleryPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Ky është piktori më i madh që jeton

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
UNKNOWN
H2O
H2O


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Ky është piktori më i madh që jeton   6th October 2008, 6:02 am

Subjektet e kuadrove të tij janë anonimë, ashtu siç është ndoshta edhe stili i tij. Por Gerhard Richter di ta tregojë të vërtetën e jetës edhe pa të shokuar. E ta mendosh pastaj se shumë artistë, që nuk bëjnë ndonjë kushedi se çfarë janë më të famshëm se ai
Ka nga ata artistë që revolucione nuk dinë të bëjnë, por që janë tepër të zotë ta rrëfejnë atë, me një libër apo si në rastin e Gerhard Richter-it, me piktura. Shumicës prej jush ky emër nuk ju thotë asgjë, e megjithatë ky zotëri është ndoshta piktori bashkëkohor më i rëndësishëm. Nëse do t’ju kishte ndodhur të shihnit ndonjëherë një vepër të tij, nuk do të mundeshit kurrë të mos e kujtonit. Pikturat e tij ngjajnë si fotografi. Teknika e Richter-it, si për kuadrot abstrakte, ashtu dhe për ato figurative, është gjithmonë e njëjta. Si imazhi, ashtu edhe abstraksioni janë ndërtuar mbi telajo me mjaft pika ngjyrash, mbi të cilat artisti kalon lehtësisht më pas penelata të mëdha, duke e sfumuar sipërfaqen me ngjyrë ende të freskët e duke krijuar kryevepra të vërteta.

Kuadrot e Richter-it janë ashtu si jeta e tij, një vijimësi ngjarjesh që ky piktor i ka përshkuar si të ishin një penelatë që kalon mbi telajo pa ngecur gjëkundi. I lindur në Gjermaninë Lindore, kur komunistët i fusnin hundët dhe spiunonin gjithçka e ku futeshe në burg edhe nëse e beje çiçin në mënyrë antirevolucionare, ndërsa kishte arritur me tren pranë kufirit të Gjermanisë së lirë, asaj Perëndimore, vendosi të mos zbriste, siç duhej të bënte sipas rregullave të hekurta të vendosura nga regjimi. Duke rrezikuar burgun, madje edhe dënimin me vdekje, kaloi kufirin pa u dalluar nga asnjë roje, sikur të ishte një nga penelat e tij duke rrëshqitur mbi sipërfaqe… Gjatë gjithë jetës do të bëjë gjëra thelbësore dhe tepër të rëndësishme për historinë e artit bashkëkohor, pa arritur që ndokush ta vërë re talentin e tij. Krejt pa u ndjerë, pa zhurmë e bujë ai kaloi nga anonimati tek të qenit emër i njohur dhe tek fama.

Edhe arti i vet është paksa i këtillë, subjektet e kuadrove të tij, të marra nga fotografitë e shkrepura në shumicën e rasteve nga ai, janë peizazhe anonime, fotografi anonime gazetash apo edhe vazo anonime lulesh, që sapo kalojnë në dorën e këtij artisti arrijnë të kthehen në simbole unike të jetës sonë të përditshme. Richter e parandjeu herët që bota do të tronditej nga imazhet. Kuptoi që gjithçka që na rrethon do bëhej pjesë e një realitetit paralel, botës së imazheve dhe fotografive. Kështu me pikturën e tij vendosi të krijojë një univers të tretë me ndërthurjen e imazheve dhe realitetit. Kuadrot e tij abstrakte nuk janë kontradiktore, por origjina dhe fundi i çdo imazhi. Para realitetit është abstraksioni: po të mendojmë për botën para botës, në mendje nuk na vijnë imazhe, por diçka abstrakte. Destinacioni i imazheve, të harruara përkohësisht, është të kthehen përsëri në asgjënë abstrakte nga vijnë.

Kuadrot figurative me subjekte fotografikë që tregojnë pra një kalim nga një abstraksion te tjetri, janë përfaqësues të jetës njerëzore që fillon nga hiçi dhe përfundon në hiç, të paktën me ç’njeh shkenca. Richteri është një materialist i vërtetë, jo sepse përkrah metodat konsumiste, por sepse beson në kufizimin e gjithçkaje në atë çfarë jemi në këtë vend e këtë çast. Nuk mund të thuhet që është një ateist që nuk beson në Zot, por mund të konsiderohet një skeptik, një njeri që thellë nuk beson në asgjë, madje jo shumë as në vetë artin e tij. Është për këtë shkëputje që ia ka dalë të realizojë kuadro që emocionojnë, duke paraqitur esencën e jetës pa dashur të shesë ndonjë teori, thjesht duke dashur të na tregojë botën që na kalon para sysh. Pikturat e tij, në fakt japin përshtypjen sikur janë në lëvizje, sikur kalojnë rrëmbimthi para sysh, si jeta jonë.

Zakonisht Richter-i i realizon kuadrot abstrakte me nuanca të shumëfishta të ngjyrave, ndërsa ato figurative kanë tone gri. Kjo nuk të sjell humor të mirë, është sikur bie gjithmonë shi ose pak borë. Duke shpikur një teknikë dhe stil anonim, por unik, Richter-i ua ka punuar piktorëve të tjerë, që tani nuk dinë si ta paraqesin realitetin pa u akuzuar se po kopjojnë mjeshtrin gjerman. Sfumaturat e Richter-it janë pak si prerjet mbi telajon e Fontana-së apo papastërtitë e Pollock-ut, që në rast se dikush provon të kopjojë e kupton dhe shkruan “nuk është i gjithë mielli nga thesi yt!”. Por, një papastërti e kuqe është e ngjashme me një të zezë dhe një prerje dhjetë centimetra është shumë e ngjashme me një 12, kurse te Richter-i nuk ndodh kështu, meqë ai përdor imazhe krejt të largëta duke sugjeruar se janë të gjithë të njëjta në fund të ditës së gjatë të quajtur jetë. Ndoshta për këtë, dhe pse shumë i madh e i rëndësishëm nuk njihet, siç ndodh me shumë artistë që janë pa talent, por ama të famshëm.

Richter-i thotë të vërtetën për jetën dhe e vërteta dhemb, prandaj lind instinkti për ta parë në drejtimin e një artisti të keq, që me artin e tij nuk bën tjetër veçse tregon gënjeshtra. E vërteta e Richter-it është elegante, ndërkohë që shumica prej nesh parapëlqen gënjeshtrat që nuk na vënë në krizë dhe nuk na fusin dyshimin dhe ankthin që çdo gjë nuk është tjetër veçse një abstraksion i madh dhe ajo që shohim dhe jetojmë vetëm loja e ngadaltë e një filmi. Para një pikture të Richter-it mbërthehesh nga terrori se je bërë i verbër, nga dyshimi i tmerrshëm se bota është vetëm një mirazh i largët. Po të kalohet frika e vdekjes, që është pak a shumë si të kapërcesh marramendjet dhe ta lësh veten të depërtohesh nga sipërfaqja e botës e paraqitur nga artisti gjerman, duke u mahnitur nga pikturat e tij abstrakte të ngjashme me njollat e dritës, atëherë ndërgjegjësohesh për madhështinë e tij dhe se sa e vështirë është sot, bombarduar nga sms-të e interneti, të bësh një pikturë, të bukur a të shëmtuar nuk ka rëndësi, që arrin të flasë me sinqeritetin e jetës. Rihter, jo si emri i tij “sizmik”, nuk ka qenë kurrë nga ata tërmete që kanë tronditur themelin e historisë së artit, po një ultratingull që bën pluhur të gjitha format, që në emër të pikturës, tregojnë gënjeshtra për artin dhe sytë tanë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
Ky është piktori më i madh që jeton
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Kurjozitete-
Kërce tek: