ForumPortaliCalendarGalleryPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Turizmi, çfarë ofroi këtë verë?

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
UNKNOWN
H2O
H2O


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Turizmi, çfarë ofroi këtë verë?   5th October 2008, 5:00 am

Fundi i sezonit dëshmoi se turizmi po shndërrohet vit pas viti në shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare. Shqipëria turistike e këtij viti u bë një realitet i prekshëm nga një numër disa herë më i madh pushuesish krahasuar nga një vit më parë.
Midis plazheve të populluara nga Velipoja deri në Sarandë, Shqipëria ofroi tërheqje të pashkelura në brigjet e veriut dhe jugut të deteve Adriatik dhe Jon, të cilët u thithën me shumë interes nga turistët e huaj.
Shqipëria turistike nuk është më një surprizë, por një nga destinacionet tërheqëse të turizmit, ku plazhet e pashkelura dhe ushqimi i mirë përbëjnë tërheqjet kryesore.




Eksperienca e sezonit që sapo u mbyll tregoi se Shqipëria po bëhet një destinacion fantastik pushimesh për turistët e gjithë botës. Kryesisht të ardhur nga vendet fshqinje, Kosova dhe Maqedonia, por edhe nga vende të largëta si Amerika e Japonia, turistët e huaj kanë shijuar plazhet qetësuese me rërë të Adriatikut dhe ato luksoze dhe fantastike të Jonit, pasuritë arkeologjike dhe parqet natyrore. Kësisoj Shqipëria po kthehet shumë shpejt në një nga vendet më të vizituara në Europë, ashtu siç thotë “the next Prague (CBC).”

Vlen për t’u përmendur se edhe kët vit vizitorët nga Kosova përbënin pjesën kryesore të turistëve. Numri i tyre është rritur me 45%, sipas statistikave zyrtare. Kryesisht pushuesit nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin e Durrësit, ku tradita e guzhinës dhe muzikës kosovare, janë bërë pjesë dominante e jetës turistike të këtij destinacioni. Emrat tipikë kosovarë të lokaleve si dhe shija e gulashit dhe suxhukut bënë që pushuesit nga Kosova gjithnjë e më tepër të ndihen si në shtëpinë e tyre. Ndërsa është shënuar një rritje nga 2-3 herë e numrit të tyre në plazhin e Velipojës, për shkak të afërsisë së Kosovës me plazhin verior, rërën kurative, detin e pastër dhe çmimet favorizuese. Mosnjohja e statusit të pavarësisë nga Mali i Zi si dhe lidhja shpirtërore me Shqipërinë, ka bërë që kosovarët t’i qëndrojnë besnik bregdetit shqiptar, sikurse deklarojnë edhe vetë.

Megjithatë, dukuri interesante e këtij sezoni ishte rritja në mënyrë të ndjeshme e turistëve nga Maqedonia në bregdetin shqiptar. Rreth 88 për qind është rritur numri i tyre në bregdetin shqiptar. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia bullgare e lajmeve “Fokus” , e cila sqaron se kjo shifër ka shënuar rritje për shkak se një numër i madh i maqedonësve kanë braktisur bregdetin grek, pas tensioneve dhe mosmarrëveshjeve të fundit midis këtyre dy vendeve për çështjen e emrit të Maqedonisë. Sipas informacionit të agjencisë bullgare, rreth 100 mijë qytetarët nga Maqedonia e kanë zgjedhur Shqipërinë si vendin më të preferuar për pushimet verore. Ndërkohë, deri në 90% të turistëve që kanë ardhur në Shqipëri janë europianë, nga të cilët 70% kanë hyrë në vend nëpërmjet tokës.

Çmimet

Siç bëhet e ditur, shumë prej pushuesve që kanë ardhur nga vendet fqinje, kryesisht Kosovë dhe Maqedoni, kanë braktisur Greqinë për shkak të konflikteve, Bullgarinë për shkak të çështjes së vizave, ndërsa bregdetin malazez për shkak të çmimeve të larta. Kësisoj bregdeti shqiptar gjatë këtij sezoni u konsiderua si më i përshtatshmi edhe për shkak të çmimeve relativisht jo shumë të larta që ofronte për pushuesit, në këmbim të ushqimeve të freskëta dhe akomodimit të të gjitha niveleve. Vetë fakti që agjencitë bullgare analizuan rrjedhjen e turistëve maqedonas drejt Shqipërisë, tregon se sa delikate është kjo industri. Këtë vit, çmimet në plazhet shqiptare, ishin më të lira se vitet e kaluara. Për shembull në hotelet e Ulqinit, kësaj vere nuk mund të prenotoje pa një çmim minimal prej 10 eurosh në natë, por edhe këtë çmim nuk e gjeje në sezonin e mbipopulluar të muajve korrik e gusht. Ndërsa në hotelet shqiptare ulja e çmimeve të hotelerisë duket se ka ndikuar për të mos pasur rënie në nivelin e frekuentuesve që vijnë nga përtej kufirit. Çmime që vështirë t’i gjeje vitet e kaluara. Por, edhe hotelet luksoze, sidomos ato të Vlorës dhe Sarandës janë detyruar, përballë konkurrencës në rritje, të përshtatin çmimet dhe të rrisin nivelin e shërbimit. Nisja e funksionimit të mekanizmit të konkurrencës ka bërë që pronarët e hoteleve të mos luajnë më me çmimet. Rritja e nivelit të shërbimit ka ndikuar që në plazhet shqiptare tashmë të afrohen jo vetëm kosovarë e maqedonas, por edhe pushues të tjerë nga vendet e Europës Lindore. Gjithnjë e më shumë në plazhet e bregdetit shqiptar gjatë këtij sezoni dëgjoje të flitej serbisht, sllovakisht, çekisht apo gjuhë të tjera të vendeve të ish-bllokut sovjetik.

Këtë vit kursimi ka filluar që me heqjen e taksës prej 10 eurosh për person, që më parë paguhej në kufi.

Media dhe promocioni

Rritja e interesit për Shqipërinë turistike ka ardhur edhe si rrjedhojë e një reklamimi më të dendur në mediat shqiptare dhe ato ndërkombëtare të kulturës, traditave dhe historisë së vendit tonë, veçanërisht nga ana e Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë. Një pjesë të kësaj merite e mbajtën edhe mediat shqiptare “online” të cilat kontribuan në njohjen dhe klikimin e destinacioneve shqiptare nga lundruesit e shumtë të internetit. Ndërkohë vëmendja që pushtoi Shqipëria në mediat e huaja, sidomos ato që kanë një sy drejt turizmit, u bë mjaft e prekshme kohët e fundit.

Megjithatë shumica e turistëve, sidomos ata që vijnë nga Maqedonia dhe që gjatë këtij sezoni mbipopulluan plazhet kryesisht të Vlorës, deklaruan se e kanë marrë informacionin për plazhet e virgjëra, të pastra, të bukura, të qeta dhe të sigurta, nga miq të tyre dhe shumë pak nëpërmjet internetit. Ndërsa kanë parë si mangësi promocionin e këtij qyteti. Ata kërkojnë më shumë publicitet dhe më shumë fletëpalosje për të bërë publike dhe të njohur në arenën ndërkombëtare plazhet e bregdetit të Shqipërisë. Sipas tyre në këtë drejtim shteti shqiptar, kompanitë turistike si dhe shoqërite hoteliere dhe turistike duhet të bëjnë më shumë publicitet dhe më shumë reklama, sepse bregdeti shqiptar njihet shumë pak nga shtetasit e huaj.

Shija e guzhinës

Një nga pikat më të forta të industrisë së turizmit shqiptar ishte kuzhina vendase, një përzierje joshëse e ndikimeve greke dhe turke. Ushqimi me bazë peshku të freskët, produktet bio duke filluar që nga frutat e zarzavatet, deri tek pijet tradicionale si rakia dhe vera vendase, ëmbëlsirat gjithashtu sipas traditës, të gjitha këto kundrejt çmimeve të arsyeshme për xhepin e turistëve të huaj, kanë bërë që guzhina të mbetet një nga atraksionet kryesore, krahas diellit mesdhetar, detit dhe hijeshive të vijës bregdetare. Por, fakti tjetër që një pjesë e madhe e hoteleve, krahas traditës kanë futur edhe guzhinën italiane, apo elementë të tjerë të guzhinës internacionale, bëri që turistët e ardhur për herë të parë në Shqipëri, të shprehnin dëshirën që të rikthehen sërish, qoftë edhe për t’i shtuar ditëve të pushimeve me kosto të ulët, edhe shijen e një guzhine që të kënaq.

Shërbime dhe investime

Pavarësisht shifrave kurajuese të rritjes së numrit të turistëve, cilësia e rrugëve dhe shërbimeve mbetet problemi parësor i zhvillimit të turizmit. Ky ishte një ndër shqetësimet kryesore për ecurinë e këtij sezoni, që me fillimin e tij, shprehur nga vetë ministri i turizmit, z. Pango, kur deklaronte se “rritja e kapaciteteve të ndenjes dhe rritja e cilësisë së shërbimeve mbeten sfidat kryesore për turizmin shqiptar”. Vetë sipërmarrësit shqiptarë janë të ndërgjegjshëm se infrastruktura mbetet një nga problemet e tyre më të mëdha. Rrugët dytësore për në plazhe vazhdojnë të jenë problematike. Ndërkohë që pastërtia në plazhe nuk është ajo e dëshiruara.

Megjithatë, qeveria po promovon këtë industri dhe ka lajmëruar plane për komplekse turistike të ardhshme. Sipërmarrës nga Dubai dhe Katarri kanë shprehur interes në financimin e zhvillimeve të konsiderueshme në Gjirin e Lalësit. Po ashtu, rrjeti francez Club Med planifikon të ndërtojë rreth 350 vila luksi në Gjirin e Kakomesë, duke investuar 75 milion euro.

Ndikimi në ekonomi

Ekonomia në Shqipëri ka konfirmuar turizmin si industria numër 1 në vend. Me këtë zgjuarsi në investime që po bëjnë shqiptarët, me ndërtimin e hoteleve, fshatrave turistike apo vilave dhe restoranteve që i kanë zili të gjithë vizitorët, Shqipëria me çfarë dëshmoi ky sezon turistik i verës, shumë shpejt do të tregohet me gisht në të gjitha hartat turistike, njëlloj si fqinjët e saj Greqia apo Italia.

Për herë të parë këto dy vitet e fundit turizmi është ngjitur në krye të klasifikimit për sa i përket prurjeve valutore në ekonominë vendase nga jashtë. Vlerat monetare që u përfituan kaluan dërgesat e emigrantëve, të ardhurat nga eksportet dhe të ardhurat që futen nga investimet direkte, duke u shndërruar në një burim madhor të ardhurash dhe punësimi.

Ndërkohë që Organizata Botërore e Turizmit i ka sugjeruar Shqipërisë të ndjekë një model ndryshe të zhvillimit të turizmit nga Kroacia dhe Mali i Zi, modele që cilësohen jo fort të suksesshme në vijimësinë e industrisë turistike.

Turizmi ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit, pasi më shumë se 1.6 milionë turistë kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2007 dhe ky numër pritet të rritet këtë vit.

Megjithëse qeveria po bën të pamundurën për të shfaqur pjesën më të mirë të turizmit shqiptar, operatorë të ndryshëm thonë se mungojnë infrastrukturat dhe promovimi i tregut shqiptar. Sipas të dhënave nga “National Tourism Organization” nga 627 hotele në vend, vetëm 36 janë të çertifikuar.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
Turizmi, çfarë ofroi këtë verë?
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Forum i lir :: Diskutime-
Kërce tek: