ForumPortaliCalendarGalleryPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 A dimë të rrisim fëmijë të shëndetshëm?

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
UNKNOWN
H2O
H2O


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: A dimë të rrisim fëmijë të shëndetshëm?   5th October 2008, 4:38 am

Dietat dhe ushqimet e gabuara janë shkaqet kryesore të mbipeshës

Pro-të dhe kundrat e të ushqyerit dhe vakteve të dobishme


Një dietë e gabuar rrit edhe te më të vegjlit faktorët e rrezikut. Ja si të zgjedhim që në fillim një ushqim të ekuilibruar dhe të njohim menjëherë shenjat e para të mbipeshës


Ushqime të gatshme, pije të gazuara, ëmbëlsira industriale... Çdo ditë këto produkte i blejmë në supermarket dhe më pas i servirim në tavolinat tona, ose ua japim me vete fëmijëve për në shkollë: i blejmë sepse tërhiqemi nga ambalazhimi, nga reklamat që na sigurojnë se janë ushqime "të shijshme e të shëndetshme". Në fakt, në pjesën më të madhe të rasteve janë produkte që mbartin në vetvete shumë kalori të dëmshme, pra nuk janë aspak ushqyese. Prej kohësh grupet ndërkombëtare shkencore dhe Ministria e Shëndetësisë po kontrollojnë me kujdes raportin mes konsumit të tyre dhe epidemisë së mbipeshës. Megjithatë, në harkun kohor të pak viteve, këto ushqime kanë zënë vendin e frutave, zarzavateve dhe produkteve bazë të dietës mesdhetare.

Studimi vjen nga kërkuesit e FAO-s, sipas së cilit në 45 vitet e fundit vendet mesdhetare nuk e përdorin më këtë lloj ushqimi, duke e zëvendësuar me produkte tepër të yndyrshme, të kripura dhe të ëmbla. Në 15 vende të ekzaminuara, prurja kalorike në ditë është rritur nga 1962-shi deri 2002-shin me 20 për qind, duke kaluar nga 2960 kilokalori, në 3340. Në disa vende (si Itali, Greqi, Spanjë, Portugali, Qipro dhe Maltë) konsumi i kalorive është rritur me 30 për qind.

Një në katër fëmijë ka probleme me mbipeshën. Përgjegjëse janë kaloritë e tepërta të konsumuara, të cilat nuk janë djegur, aktiviteti fizik i reduktuar dhe orë të tëra qëndrim ulur para kompjuterit dhe televizorit. Në qendër të këtij studimi dhe statistikave janë fëmijët e vegjël. Shkencëtarët gjermanë kanë kryer një studim te 2 mijë fëmijë në shtete të ndryshme të Evropës: 14 për qind janë mbipeshë, ndërsa 86 për qind janë obezë të sëmurë rëndë. 26 për qind e fëmijëve ishin të sëmurë me hipertension, ndërsa 37 për qind kishin lipide në gjak. Pothuajse gjysma e tyre paraqiste një faktor rreziku kardiovaskular. Duke humbur peshë në harkun kohor të 6 javëve, rreziku ulej në mënyrë të ndjeshme. Këto janë përfundimet e studimit. Por si mund ta rregullojmë regjimin e të ngrënit në jetën e përditshme, duke luftuar kundër kapriçove dhe tekave të pafundme? Ja pikat kyçe të shpjeguara nga ekspertët.

Kur duhet të fillojmë të shqetësohemi

Fëmijët e vegjël janë gëzimi i prindërve, por ndonjëherë kapriçot e tepërta mund ta çojnë drejt mbipeshës dhe me kalimin e viteve edhe drejt obezitetit. "Duhet t‘i mbajmë nën kontroll duke i vizituar herë pas here te pediatri, për të pasur kështu më shumë informacione mbi raportin peshë-gjatësi. Duke u kontrolluar vazhdimisht fëmija do të zhvillohet më tej me limitet e tabelës së rritjes", shpjegon një pediatër. "Është diçka e thjeshtë të matësh gjatësinë dhe perimetrin e trupit. Nëse ky i fundit e kalon gjysmën e gjatësisë trupore, pavarësisht nga mosha, jemi përballë një sinjali të pangatërrueshëm alarmi. Sa më precize dhe në kohë të volitshme të bëhet diagnoza, aq më efikase do të jetë terapia e përzgjedhur".

Rreziqet e rritjes së peshës

Mjekët këshillojnë se ushqimi i tepërt në dy muajt e parë të jetës sjell një rritje të volumit të qelizave dhjamore, përveç numrit të tyre. Kjo do të thotë se fëmijët bullafiqë kur të rriten do të jenë obezë. Gjithashtu janë më të ekspozuar ndaj hipertensionit dhe hiperkolesteromisë, sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit, problemeve në aparatin tretës dhe tumoreve të stomakut. Mbipesha mund të japë menjëherë probleme të tipit respirator dhe artikular (për shembull kofshë të harkuara dhe këmbë të sheshta). Gjithashtu nuk duhen nënvleftësuar edhe pasojat psikologjike, të cilat mund të shtohen me kalimin e viteve.

Aktiviteti fizik

Kërkimet e fundit tregojnë se fëmijët e vegjël e ata adoleshentë kalojnë mesatarisht më shumë se dy orë në ditë para televizorit dhe kompjuterit. Në këtë moshë është e rëndësishme që të bëjnë ushtrime, sepse përveçse djegin kaloritë e tepërta, kontribuojnë në harmonizimin e përmasave mes muskujve dhe dhjamit. Sajti i Ministrisë së Shëndetësisë kushtuar fëmijëve këshillon një aktivitet aerobik të larmishëm, siç është biçikleta ose ecja, një sforcim konstant, por që djeg kaloritë.

Gjyshërit

Shumë herë nëse nipërit janë mbi peshë, fajin e kanë edhe gjyshërit, madje ata ndikojnë më tepër nga ç‘mund të mendojmë. U japim fëmijëve ç‘të kërkojnë, patatina, molto, çamçakëzë, lëpirëse, amita etj., duke u prishur regjimin dhe stilin e të ushqyerit.

Vaktet në shtëpi

Për fëmijët, numri i vakteve duhet të jetë 4 deri 5 herë në ditë (me një pushim prej tre orësh nga vakti në vakt). Mëngjesi është shumë i rëndësishëm, një gotë qumësht, ose kos me drithëra. Më pas, gjatë paradites dhe pasdites mund të konsumohet ndonjë meze e lehtë për të shuar urinë. Nëse fëmija nuk bën rregullisht aktivitet fizik, mjafton një frut. Mirë do të ishte edhe një panine me proshutë të papjekur. Mëngjesi dhe dreka duhen ta ngopin një fëmijë, pasi prej tyre mbulohet 60 për qind e energjive të ditës; zemra dhe darka në restorant përbëjnë 40 për qind të energjive. "Si e kemi theksuar dhe më lart, më të rëndësishme janë frutat, zarzavatet, jo shumë kripë, pak ëmbëlsira dhe reduktimi i proteinave. Duhen shmangur ushqimet e shpejta, të skuqurat dhe të preferoni pjatat e thjeshta: makarona me salcë, një sallatë e përzier dhe në fund fruta", thekson një dietologe.

Vaktet në shkollë

Të paktën në fletë mensa e shkollës duket mjaft e kontrolluar, si nga cilësia, ashtu edhe shumëllojshmëria e ushqimeve. "Por nëse kalojmë nga teoria në praktikë, nuk është e rrallë të zbulosh se menytë që shkëlqejnë para shumë administratave komunale përfundojnë në plehra. Arsyeja është e thjeshtë, sepse edhe në shkollë fëmijët kërkojnë të njëjtat ushqime që janë mësuar të konsumojnë në shtëpi", vazhdon më tej dietologia. "Në mensat e shkollës prindërit duhet të kërkojnë me ngulm menynë, për të krijuar një ide se çfarë u serviret konkretisht fëmijëve të tyre".

Fëmijët në dietë

Diçka është e qartë: fëmijët nuk mbajnë dietë, por prindërit duhet t‘i mësojnë që të ushqehen në mënyrën e duhur. Dhe për ta arritur këtë, kuzhinierja duhet t‘i drejtohet gjithë familjes. "Nëse nuk arrihet një ndryshim radikal i mënyrës së jetesës të të gjithë pjesëtarëve të bërthamës familjare, terapia nuk mund të japë rezultate të kënaqshme dhe që zgjasin", kujton ajo. "Kjo nuk vlen vetëm për zakonet e të ushqyerit: një familje që qëndron gjithmonë në këmbë, mund të jetë ndihmesë për një fëmijë që ka probleme me peshën".

Nëse nuk duan zarzavate

Ekspertët pohojnë se pesë racione në ditë fruta dhe zarzavate janë zgjidhja e duhur për të pasur një fëmijë të shëndetshëm dhe rezistent. Por ajo që i shqetëson vërtet prindërit është fakti se çfarë duhet të bëjnë kur fëmijët e tyre shtrembërojnë buzët përpara një pjate sallatë ose molle? "Këshilla e parë është të mos insistoni, sepse nuk do të arrini gjë tjetër përveç të kundërtës. Në këtë rast do t‘u vinte në ndihmë një shembull i mirë dhe më pas të praktikoni zgjidhje alternative. Ka nga ato zarzavate që nuk kanë shumë vitamina nëse konsumohen të gjalla. Duhet të keni parasysh diçka shumë të rëndësishme: nuk duhet të "përjashtohen" nga menyja ushqimet e tjera që nuk u pëlqejnë prindërve. Fëmijët kanë të drejtë të shijojnë atë që dëshirojnë", thotë dietologia.

Ndonjë truk të ndihmon

Fëmijët hanë më parë me sy, se sa me gojë. "Kështu, nëse dëshirojmë që fëmija ynë të konsumojë një lloj ushqimi, duhet të mundohemi t‘ia servirim në pjatë në një mënyrë më interesante. Mjafton pak fantazi: ngjyra të ndezura, një prerje e ndryshme, porcione në forma rrethore ose trekëndore. Ndonjëherë na duhet t‘i respektojmë shijet e tyre: nëse nuk u pëlqejnë makaronat me fasule, duhet të provojmë me një ushqim tjetër. Nuk duhet të përdorim gjithmonë të njëjtin ushqim".

Ushqimet e shpejta dhe ato industriale, që kanë shumë kalori dhe yndyra të fshehta, mund të zëvendësohen me fruta, kos, bukë me marmelatë (preferohen konfeksionet që përmbajnë 60 për qind fruta të freskëta), proshutë ose vaj, si dhe një shishe qumësht në vend të një pijeje me sheqer dhe gaz. E nëse nuk mund të jetoni pa produktet industriale, të paktën lexoni gjithmonë me kujdes etiketat.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
A dimë të rrisim fëmijë të shëndetshëm?
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Shkenca :: Shendeti-
Kërce tek: