ForumPortaliCalendarGalleryPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Legjenda ne fund te pusit

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
UNKNOWN
H2O
H2O


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Legjenda ne fund te pusit   5th October 2008, 4:32 am

E hapen dy vellezer turq, qe hodhen brenda vegla prej ari. Pastaj erdhi xhamia, kalaja, qyteti. Revolucioni kulturor shqiptar e taposi, por nje elbasanas i vjeter e rihapi. Per te rigjetur historine.

Zakonisht lindja e nje qyteti ka lidhje me nje kishe, xhami, kala, treg, apo furre buke. Rasti i Elbasanit nuk eshte shume i ndryshem, por ka nje specifike. Ne vitin 1460, pak vjet para se Sulltan Mehmeti II te fillonte dhe mbaronte me deshtim rrethimin e dyte te Krujes, pushtuesit turq ishin ende verdalle Arberise. Qe kishin ardhur per t‘u ngulur aty, e tregon edhe ndertimi i nje xhamie prej dy vellezerve turq me ndihmen e nje kryepunetori arab, e cila paraprakisht kerkonte sigurimin e ujit. Per kete u hap nje pus. Pas tij u ngrit objekti i kultit, e me 1467-en Mehmeti ne terheqje e siper, vendosi te ngreje bedena te reja mbi rrenojat e keshtjelles se vjeter te Valmit, per ta mbajtur nen presion konstant Skenderbeun.

Sot ky pus qe “polli” Elbasanin eshte po aty. Me kalimin e viteve, legjendat do te perziheshin dhe nuk merrej vesh kur fillonte njera, apo mbaronte tjera. Shpejt uji i tij mori namin e melhemit qe kuronte semundje. Kush vizitonte Elbasanin per njemije arsye, kujdesej te mbushte edhe pak uje nga Pusi qe Lahet Vete, i shnderruar gati ne nje destinacion pelegrinazhi. Derisa rrumbullak pas pese shekujsh jete, xhamia u rrafshua nga rrenjet ndersa pusi u tapos.

Faji i vetem i tij ishte se ndodhej afer xhamise. Per inat te vepres se kultit, revolucionaret kulturore shqiptare mbyllen edhe pusin. Ishte viti 1966. Banoret e asaj lagjeje e sidomos grate qe lanin e shpelanin me ujin e bekuar, pane me syte e tyre se si u hodhen tonelata inerte. I vetmi objekt qe shpetoi ishte rrapi shekullor aty prane, qe u quajt “monument kulture”. Sigurisht qe askush nuk mund te bzante duke rrezikuar koken, qofte dhe per nje pus te famshem. Argumentimi i propagandes zyrtare ta mbyllte gojen: “Ju kemi sjelle ujin ne shtepi, nuk keni me nevoje per puset e turqve”.

Cuditerisht, edhe me vone lagjia e vjeter elbasanase identifikohej jozyrtarisht si “Pusi qe Lahet Vete”. Me shembjen e sistemit komunist, nostalgjia e vjeter u rizgjua dhe u mendua qe te rivihej ne funksion, qofte edhe per historine e tij. Instituti i Monumenteve te Kultures, e perfshiu nder objektet me vlera, por vetem kaq. Munguan fondet per shume vite. Por doli se nuk nevojiteshin me shume se 6 milione leke te vjetra per ta rikthyer ashtu si me pare. Kaq iu desh te shpenzonte para disa muajve nje familjeje te vjeter elbasanase. E cila e kishte pusin fare prane oborrit te shtepise dhe vendosi qe te bente edhe nje here punen e dy vellezerve besimtare turq ne vitin 1460.

Kryefamiljari Ibrahim Bitozi sot i ka kapur 77 vitet. Eshte personi qe bashke me tre djemte e tij rihapen pusin. Puna nisi ne gushtin e vitit te kaluar dhe ka perfunduar tre muaj me pare. Mjaftoi nje leje nga Instituti i Monumenteve te Kultures per kryerjen e punimeve, dhe shpejt u vu kazma e pare. Pas 44 vjetesh i vulosur nga inertet, pusi ka nxjerre perseri uje. “Iniciativen e kam marre per shume arsye. Se pari si banor i vjeter i Elbasanit, sepse ky pus ka histori te shumta dhe se dyti, nje amanet i sime shoqeje (Donikes) qe para se te vdiste me kishte kerkuar te beja c’eshte e mundur qe te rihapej”, thote Bitozi. Dhe sot pusi eshte jashte oborrit te shtepise se tij, ne mjedis publik. Megjithate Ibrahimi i ka vene kapakun dhe jo kushdo ka mundesi te shuaje etjen. Plaku jep dy arsye per kete “censure”. Kryesorja eshte rrezikimi i jetes se femijeve nese gryka do ishte e hapur vazhdimisht, dhe e dyta, “kemi frike se nese dikush i papergjegjshem hedh pislleqe brenda ne pus, e nxjerr jashte funksionit”.

Gjate kohes qe flasim me Bitozin, vijne edhe te tjere banore te asaj lagjeje. Thurrin lavde per Ibrahimin dhe e falenderojne qe ai investoi per ta risjelle ne gjendjen e meparshme ate, Pusin qe Lahet Vete. Por pse ky emer?

Legjenda do qe cdo hene te re (gati cdo dy jave), sasia e prurjeve te ujit te pusit te shtohej aq shume sa te merrte rruget. Por mengjesin pas permbytjes uji terhiqej serish. Vertet ai merrte brenda papastertira, por pastrohej dhe shume shpejt ishte serish i pijshem. Shkalla e gjysmeshpjegimeve per kete dukuri fillon me forcen terheqese te henes e vazhdon me burimet nentokesore qe here shtojne prurjet, here i pakesojne. Pa harruar thjesht mrekulline e Zotit. Megjithate, hena e re ka kaluar dhe pas rihapjes nga Ibrahimi dhe djemte, pusi nuk po lahet me vete. Pra, uji nuk guxon me te dale nga gryka. “Shpresoj se nje dite do ta shoh oborrin te mbushur me uje. Atehere do them i bindur se eshte kthyer ne gjendjen e meparshme”, shton Bitozi. Por kjo pak rendesi ka. Zoteria 77 vjecar ka bere deri diku nje investim te zgjuar. Se pari, shpreson se me kalimin e kohes do te vijne vizitore te shumte ne ate vend. Dhe pjesa tjeter jo pak e rendesishme per te, mbetet emri. Me kalimin e viteve ndoshta do te quhet pusi i Ibrahimit. Nuk mungojne ne lagje, edhe zerat se Bitozet jane treguar finoke: Fare mire mund te ndertojne edhe nje lokal prane shtepise dhe pusi te ndihmoje per garantimin e klienteles. Aq me teper qe sic pohon vete, jane kryer te gjitha analizat bakteriologjike dhe higjenike dhe ka rezultuar se eshte i konsumueshem. Sot disa komshinj shpesh i kerkojne Ibrahimit celesat dhe marrin uje. Qofte edhe per te kujtuar ate kohe te dikurshme kur e gjithe lagjia shuante etjen nga pusi qe lahet vete. Tre metra larg pusit ndodhet nje rrap, jo me ai i mocmi qe u tha. Ne po ate vend, ka dale pema e re qe sot eshte 40 vjecare.

Dylgjeri dhe Hasani, vellezerit turq qe nisen kete histori, kerkonin nje burim uji sa me afer, per te ngritur xhamine. Dhe keshtu u be. “Xhamia ka qene shume e vjeter dhe me nje arkitekture te mrekullueshme, ajo duhej te ishte mbajtur per ato vlera qe kishte, por e shkaterruan”, thote Bitozi. Vendi kur dikur ndodheshin themelet e xhamise, sot jane mbuluar nga nje shtrese e holle asfalti. Pas vitit 1966, shume elbasanas kalonin afer asaj zone ku kishte qene objekti, te bindur se po shkelnin ne nje “vend i mire”. Kjo ndjesi e mbijetuar, ka bere qe sot fare prane rrapit, si per te kujtuar xhamine, njerezit te vendosin disa gure dhe brenda tyre dallohen qirinj. Cdo objekt ketu prane pusit ka nje minihistori me vete. Ustallaret turq qe merrnin guret ne afersi te lumit te Zaranikes, ngulen prane xhamise ende te pambaruar nje dru te njome te rrapi, per te lidhur kafshet. Druri zuri rrenje dhe u rrit, duke u mbiquajtur “rrapi i xhamise”. Por legjenda merr ngjyrat e nje historie me thesare e pirate, kur thote se pas perfundimit te gjithckaje, per t’u vjatur mbare byrazeret turq hodhen ne fund te pusit te ri tre vegla prej floriri per kurban: Nje cekic, nje sqepar dhe nje mistri. Dhe vertet. Pas pusit dhe xhamise erdhi kalaja qe mbante nje pllake ku shkruhej: “Eli-Basan, es Sulltan, ibni Sulltan, Fahati Sulltan, Mehmet thani han.” (Vura dore, une sulltan bir sulltanesh, sulltan triumfues, Mehmeti, mbret i madh). Pastaj erdhi qyteti.

A i ka kerkuar ne shekuj ato objekte ari, ndonje lakmitar? Ibrahim Bitozi tregon nje pale dare dhe nje cekic qe i ka gjetur brenda pusit, gjate germimit per te shkuar ne 16 metra thellesi. Sigurisht nuk jane prej floriri. “I gjetem jo shume thelle dhe fillimisht te gjithe mendonin se ishin ar. E pame se materiali ishte thjesht hekuri, sado ta gervishtje”. Edhe pse ende dikush mendon se veglat e arta jane gjetur realisht dhe Bitozet tregojne te tjera, per te mos i ngritur mendjen njeriu. 77-vjecari i ka te mbyllura objektet ne nje magazine te vogel prane shtepise dhe nuk ngurron te na i tregoje. Objektet qe na i le per nje cast ne duar vertete jane prej hekuri, madje pasi u gjeten, ai i hodhi serish brenda. “Pervec dareve dhe cekicit, ustallaret gjeten vetem dy tasa prej bakri te cilat ishin demtuar rende. I hodha edhe ato, pasi nuk vlenin”, thote Bitozi. Por ja qe joshja e legjendes eshte e madhe. Nje komshi afer Bitozeve, me te cilin Ibrahimi kishte edhe miqesi, u fut nje nate ne pus dhe i nxori veglat, por kur e pa se materiali ishte hekur, i ktheu. “Pak dite pasi e kreu kete veprim, vdiq”, tregon Bitozi, duke nenkuptuar se fatkeqesia i ndodhi pikerisht se perse u be lakmitar dhe preku ate vend te shenjte me synime te keqija. I ndjeri fqinj mund te kete vdekur nga shkaqe krejt natyrale, por daje Ibrahimi, sic thirret ne lagje, eshte i bindur se shkaku eshte “gjynafi”.

Sido qe te jete, pusi eshte rihapur, kurse vellezerve turq vetem ne nje gje nuk u eci. Lagja “Dylgjer Hasan” nuk ngjiti kurre si emertim. Ajo edhe sot quhet “Pusi qe Lahet Vete”. Sipas njerit prej tre djemve te Ibrahim Bitozit, “e morem kete iniciative investimi, pasi gjykojme se ai eshte nje objekt karakteristik dhe mbi te gjitha, sepse eshte nje trashegimi kulturore e harruar prej vitesh. Eshte mire qe te gjithe te dine historine e ketij pusi”. Histori e cila vijon te pasurohet dhe pavaresisht nese uji nje dite do te marre rruget apo jo, emri i Bitozeve do t’u bashkohet te vertetave dhe legjendave te nje qyteti, lindjen e te cilit e lehtesoi hapja e nje pusi.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
Legjenda ne fund te pusit
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Kurjozitete-
Kërce tek: