ForumPortaliCalendarGalleryPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Pushteti i përjetshëm i së vërtetës

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
UNKNOWN
H2O
H2O


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

MesazhTitulli: Pushteti i përjetshëm i së vërtetës   5th October 2008, 4:23 am

Nobelistja birmaneze, Aung San Suu Kyi, rrëfen për gjërat e çmuara dhe me vlerë të jetës

Vetja ndriçohet duke u shqetësuar dhe ndihmuar të tjerët


Edhe pse jo të gjithë nuk mund të jemi si Buda, unë ndiej përgjegjësinë që të bëj të pamundurën për të arritur gjendjen maksimale të ndriçimit që lidhet me mua dhe ta përdor për të lehtësuar vuajtjet e të tjerëve... Këto janë fjalët e Aung San Suu Kyi, 63 vjeçe, e vlerësuar me çmimin "Nobel" për paqen dhe lidere e opozitës birmane. Në këtë intervistë shpjegon bazat e filozofisë së saj, tregon se çfarë ka mësuar nga e ëma, një grua e angazhuar në politikë (i ati ka qenë protagonist i luftës për pavarësi, u vra më 1947-ën), flet për kurajën dhe se çfarë është besnikëria kundrejt familjes, që përfshin edhe shokët e saj të luftës. "Duhet ta pranoj", thotë, "se nuk më është dashur të sforcohem aspak për të zgjeruar konceptin tim për familjen. Kolegët janë bërë familja ime, thjesht sepse janë të respektueshëm dhe të dashur. Ndajmë të njëjtin qëllim dhe i besojmë njëri-tjetrit. Dashamirësia jonë ka krijuar një ndjesi familjare mes nesh. Gjithashtu duhet të shtoj se, duke qenë se jam vetëm, shqetësohen për mua, siç do ta bënte një familje e vërtetë".

Ju jeni nënë. Mund të na shpjegoni se si ia bëni të keni një komunikim të mirë me fëmijët dhe të flisni hapur me njëri-tjetrin?

E kam shuar kureshtjen e tyre duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të mundshme që më bënin. Që kur ishte fëmijë, djali im i madh, Aleksandër, bënte shumë pyetje dhe unë përpiqesha t‘u përgjigjesha të gjithave. Nuk u shmangesha kurrë. Dhe nëse ndodhte që ndonjë pyetje mund të mbetej pa përgjigje, shfletoja librat dhe më pas i përgjigjesha. Edhe nëna ime ishte shumë e zonja në këtë drejtim. Asnjëherë nuk më thoshte të mos bëja pyetje. Çdo natë, kur kthehej pas pune, shtrihej menjëherë në shtrat, sepse ishte shumë e lodhur. Atëherë unë shtrihesha pranë saj dhe filloja ta pyesja për gjithçka. Edhe pse ishte shumë e lodhur, çuditesha me faktin që nuk më thoshte kurrë: "Të lutem, jam shumë e lodhur, mjaft me pyetje", ose "Mos më bëj pyetje pa kuptim". Mundohej të më përgjigjej medoemos, edhe nëse nuk e dinte. E vlerësoja shumë për këtë.

Si është e mundur që arrini të injektoni te të rinjtë mirësi dhe dashuri. Jeni e bindur se kur të rriten do t‘i përdorin këto dy virtyte për të përmirësuar njerëzimin?

Sot shumë të rinj janë ambiciozë dhe dëshirojnë të jenë të mëdhenj, pa e ditur se çfarë do të thotë vërtet. Mjaft prej tyre duan të jenë të famshëm, të privilegjuar dhe të trajtohen si yje. Gjithsesi është e vështirë të nxisësh madhësinë te të rinjtë. Mendoj se gjithçka duhet të fillojë nga të vegjlit. Nuk mjafton vetëm që prindërit t‘ua injektojnë këto vlera. Mendoj se edhe ambienti që i rrethon është parësor. Nëse i shikon që këto vlera respektohen rreth teje, është më e thjeshtë t‘i përvetësosh. Një nga arsyet kryesore që nëna ime e ka pasur të thjeshtë të më transmetonte idenë e shërbimit ishte sepse e dija që prindërit e mi ishin të respektuar për shërbimin që i kishin bërë vendit të tyre. Ndjeja se shërbimi ishte një copëz e dëshirueshme. Gjithsesi, në shumë shoqëri moderne, si në Perëndim ashtu dhe Lindje, shtysë janë rezultatet materiale. Shpesh, në një ambient të ngjashëm, vetë prindërit mundohen t‘u mësojnë fëmijëve kuptimin e shërbimit.

Sipas jush, cilat janë karakteristikat kryesore të popullit birman, një kulturë tepër e zhvilluar, me më shumë se 64 etni dhe 200 gjuhë e dialekte të ndryshme?

Mund të flas vetëm për shumicën e etnisë birmane, në të cilën bëj pjesë edhe unë. Gjëja e parë që më vjen ndërmend është se janë budistë. Në fakt, jo të gjithë birmanët janë budistë të mirë.

Pak muaj para martesës suaj, ju i kishit shkruar bashkëshortit të ardhshëm Majkëll: "Të kërkoj vetëm një gjë, që nëse njerëzit e mi kanë nevojë për mua, do të më ndihmosh të përmbush detyrën time karshi tyre". Si është zhvilluar ndjenja e punës, derisa u bë pikëmbështetja e jetës suaj, që pas rikthimit në Birmani më 1988-ën?

Nuk e di nëse mund të quhet një proces evolutiv. Mendoj se kjo vlerë më është injektuar që kur isha fëmijë. Gjithmonë ka qenë e pranishme tek unë dhe e kam vënë në zbatim atëherë kur ka qenë e nevojshme.

Një farë e mbjellë në fëmijëri, që ka çelur në momentin e duhur, apo kishte lindur prej natyrës?

Mendoj se ndjenja e punës lind me njeriun. Thjesht disa persona e kanë zhvilluar më shumë se të tjerët. Një tjetër element i rëndësishëm që ndikon në zhvillimin e ndjenjës së punës është edhe edukata. Mamaja ime më ka mësuar që duhet të jem gjithmonë nën shërbimin e njerëzve të mi.

Përse?

Për shkak të atyre që më tregonte për babanë tim. Edhe tek unë duhej të ishte një përbërës gjenetik me këtë lloj ndjenje.

Një herë më tha: "E vërteta është fuqi. Fuqia e së vërtetës është shumë e madhe dhe mendoj se mjaft njerëz janë të vetëdijshëm për këtë dhe i tremben kësaj". Ju jeni shprehur se në një farë mënyre e vërteta koincidon me "sinqeritetin". Por çfarë përmbledh sinqeriteti, vërtetësinë e shpirtit, që tremb shumë njerëz?

Thellë-thellë, sinqeriteti është dëshira për të mos gënjyer asnjë njeri. Ja sepse sinqeriteti është e vërteta: të jemi të sinqertë do të thotë të mos gënjejmë askënd, natyrisht këtu përfshijmë edhe veten. Në këtë rast duhet të mësosh të jesh i sinqertë me vetveten, para se të jesh me të tjerët. Gjithsesi, disa persona e ndiejnë të nevojshme të gënjejnë të tjerët, e ndoshta edhe veten, që të ndihen në paqe me atë që bëjnë.

Pra, sinqeriteti është si një pasqyrë që krijon shqetësim në një mendje të pasinqertë, e cila mendon vazhdimisht?

Po, një pasqyrë e shndritshme dhe e vërtetë mund të tregojë shumë gjëra, që ndoshta nuk do të preferoje të mos i shihje.

Ku përfshihet koncepti i sinqeritetit në kodin e rregullave morale të budistëve?

Natyrisht që shkon përtej fjalës shmang, "musavada", shmang atë që nuk është e vërtetë. Sinqeriteti nuk kërkon vetëm të shmangë gënjeshtrën, por edhe të prekësh të tjerët.

Pra, sinqeriteti është i domosdoshëm për mirëqenien e njeriut?

Absolutisht po. Ka njerëz që duan të prekin të tjerët për të fituar respektin, por jo në mënyrë të sinqertë. Shtiren për të fituar dashamirësinë, ose mbështetjen e të tjerëve. Sinqeriteti është i lidhur me dëshirën për t‘iu afruar personave të hapur dhe me ndërgjegje të pastër.

Sipas jush, ka ndonjë mënyrë për t‘u mbrojtur nga korrupsioni, i cili buron fill pas marrjes së pushtetit?

Mendoj se është e nevojshme kuraja për t‘u përballur me vetveten. Është mbrojtja më e mirë kundër korrupsionit. Nëse ke guxim të përballesh me veten, në kuptimin që ta shohësh vërtet veten në pasqyrë, me gjithë defektet dhe mangësitë e tua, atëherë nuk mund të joshesh nga korrupsioni.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit
 
Pushteti i përjetshëm i së vërtetës
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Art dhe kultur :: Vip-
Kërce tek: